Drejtori Ekzekutiv i Raiffeisen Bank për Shqipërinë, z. Oliver Whittle, u shpreh se niveli i ulët i inflacionit është inkurajues për sektorin privat në Shqipëri
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim me përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të biznesit vendas e të huaj, në një nga seksionet e konferencës ekonomike me temë “Tryeza e Tretë e Rrumbullakët me Qeverinë e Shqipërisë. Për investime të frytshme”, e organizuar në Tiranë nga grupi prestigjioz "The Economist". Kjo konferencë zhvillohet për të tretin vit radhazi në Shqipëri dhe ka si qëllim shkëmbimin e ideve për zhvillimin e biznesit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri dhe të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të krijimit të një klime sa më të favorshme për biznesin. “Ekonomia shqiptare është dinamike dhe shumë entuziaste. Rritja ekonomike gjatë këtij 6-mujori ka qenë dy shifrore, me 11 përqind. Eksportet, prodhimet ‘Made in Albania”, janë rritur me 32 përqind. Numri i turistëve këtë vit ka arritur në 2 milionë, ndërkohë që në vitin 2004 numri i turistëve ishte 200 mijë. Inflacioni është mbajtur në nivelin 2.7 përqind. Ka një rritje të madhe të investimeve të huaja në vendin tim”, u shpreh Kryeministri, ndërsa shtoi se “qeveria ime është e vendosur që të bëjë të vetat praktikat më të mira lidhur me klimën e biznesit”.
Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se kontributi kryesor i qeverisë është të luftojë korrupsionin. “Lufta kundër korrupsionit është shumë më e rëndësishme sesa çështje të tjera. Ne do të bëjmë çdo gjë në këtë aspekt”, vijoi Kryeministri. Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është vërtet një vend i vogël, por ka potenciale të mëdha për tu shfrytëzuar.
Në vijim, Kryeministri Berisha dhe të pranishmit në këtë konferencë diskutuan për çështje të ndryshme lidhur me zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri, si dhe për fushat ku investitorët janë të interesuar të zhvillojnë biznesin e tyre.
Drejtori Ekzekutiv i Raiffeisen Bank për Shqipërinë, z. Oliver Whittle, vlerësoi se ekonomia shqiptare ka ecur dhe është pozicionuar shumë mirë brenda një kohe të shkurtër. Zoti Whittle u shpreh gjithashtu se niveli i ulët i inflacionit është inkurajues për sektorin privat në Shqipëri.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Së pari dëshiroj të falënderoj organizatorët e Konferencës Ekonomike, të kësaj ngjarje të madhe për Shqipërinë. Gjithashtu dua të mirëpres të gjithë pjesëmarrësit dhe biznesmenët pjesëmarrës në këtë konferencë. Kjo konferencë po zhvillon punimet në një kohë kur bota ndeshet me probleme serioze ekonomike në një krizë dhe një gjë e tillë të çon në një recesion të ekonomisë.
Prandaj të gjithë duhet të mendojnë për këtë krizë, duke pasur parasysh secilin vend dhe çdo rajon. Por pavarësisht nga ajo që ka ndodhur në metropolet kryesore financiare, Ballkani dhe Shqipëria ende janë të qetë përsa i përket sistemit bankar. Shqipëria ka një performancë shumë të mirë. Likuiditeti është shumë i mirë dhe nuk ka ndonjë impakt mbi njerëzit, të cilët kanë besim. Depozitat e kursimeve po rriten dhe kjo për shkak se sistemi bankar në Shqipëri ka funksionuar në mënyrë normale dhe korrekte. Ky sistem nuk u prek nga virusi i lakmisë dhe kjo është një arsye e rëndësishme që kjo konferencë zhvillohet në Shqipëri.
Më lejoni t’ju prezantoj gjendjen e Shqipërisë sot. Ekonomia shqiptare është dinamike dhe shumë entuziaste. Rritja ekonomike gjatë këtij 6-mujori ka qenë dy shifrore, 11 përqind. Eksportet, prodhimet ‘Made in Albania”, janë rritur me 32 përqind. Numri i turistëve këtë vit ka arritur në 2 milionë, ndërkohë që në vitin 2004 numri i turistëve ishte 200 mijë. Inflacioni është mbajtur në nivelin 2.7 përqind. Ka një rritje të madhe të investimeve të huaja në vendin tim. Shifra e investimeve në fushën e energjisë, për projekte që janë kontraktuar ose janë në kontraktim e sipër, arrin në rreth 400 milionë euro. Investimet e kompanisë “Seament” arrin në rreth 750 milionë euro. Po kështu kontrata të tjera vazhdojnë të negociohen në fushën e energjisë, në miniera, në manifakturë, etj..
Qeveria ime po bën çdo gjë për të përmirësuar dhe lehtësuar klimën e biznesit në vend. Në këtë kontekst ne punuam për të lehtësuar barrën burokratike mbi biznesin dhe mendoj se këtë e arritëm. Koha e regjistrimit të biznesit është shkurtuar nga dy ditë në gjysmë ore. Po kështu edhe taksën e regjistrimit e kemi kufizuar nga 7000 euro në 1 euro. Ne kemi reduktuar me 2/3 numrin e lejeve dhe licencave dhe në muajt që vazhdojnë do të punohet për zhvendosjen e procedurave në ‘one stop shop’.
Qeveria ime është e vendosur që të bëjë të vetat praktikat më të mira lidhur me klimën e biznesit. Raporti i Bankës Botërore “Doing Business” për këtë vit e renditi Shqipërinë në vend të dytë lidhur me reformat që po zbatohen. Po kështu dhe lidhur me mbrojtjen e investimeve ne jemi në vendin e 12-të në botë.
Për regjistrimin e biznesit ne jemi të tetëmbëdhjetë apo të shtatëmbëdhjetë në botë. Lidhur me kreditimin ne jemi në vendin e katërmbëdhjetë. Ne kemi arritur nëntëdhjetë e gjashtë pikë lidhur me lirinë fiskale, por ende kemi shumë për të bërë dhe po i hedhim hapat një nga një. Angazhimi im është që në këtë vend do të zbatohen strategjitë më të mira. Dhënia e lejeve të ndërtimit është në gjendje shumë të keqe. Koha për marrjen lejes së ndërtimit është 330 ditë, por kjo do të përmirësohet duke arritur në afatin më të shkurtër, si Singapori. Shkurtimi i praktikave burokratike do të zbatohet në të gjitha fushat. Të gjitha këto janë në interesin më të mirë të biznesit. Ne kemi vendosur taksën e sheshtë në nivelin 10 përqind. Nga 1 janari 2009 taksa sociale do të zbresë me 50 %. Kjo ndodh sepse një nivel më i ulët i taksave është më i dobishëm për njerëzit në sektorin publik.
Së dyti të shohim rezultatet e arritura pas tre vjetësh. Ne kemi ulur taksat më shumë se çdo vend tjetër në Evropë apo më gjerë. Njëkohësisht kemi rritur të ardhurat në buxhet në masën 32 përqind. Këto të ardhura nuk erdhën nga nafta apo gazi, por ato vijnë nga lufta kundër korrupsionit, informalitetit, evazionit fiskal, prej të gjithave së bashku. Kjo luftë u lehtësua shumë fale politikës fiskale të ndjekur.
Shqipëria është një vend i vogël. Këtë ju mund ta shihni në hartë, por është një vend me potenciale të mëdha për tu shfrytëzuar. Shqipëria është një vend i bukur, i mrekullueshëm, me male madhështore. Shqipëria është një vend i pasur me burime hidrike dhe ka potenciale për ndërtimin e 400 hidrocentraleve. Shqipëria është një vend i rëndësishëm për depozitat e kromit, por ka gjithashtu dhe hekur.
Një vit më parë ne kemi inauguruar në Shkodër kompaninë italiane “Cottonela” dhe Presidenti i kësaj kompanie më tha se në rast se ne do të zbatoni këtë politikë fiskale atëherë ky vend do të shndërrohet në parajsë. Unë këtë e zbatova dhe Shqipëria është shndërruar në parajsë, madje diçka më shumë sepse parajsa është hyjnore. Por, ka ende shumë punë për të bërë. Ne nuk do të kursejmë përpjekjet për t’ju krijuar një jetë shumë të mirë.